Raporti i “The Economist”, Shëndetësia: PD e shtrembëron, vdekjet nga Covid më të ultat në rajon

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me një raport të “The Economist”, që është publikuar edhe nga PD, ku flitet për vdekjet shtesë nga COVID-19 në vendin tonë.

Sipas Ministrisë, vdekjet shtesë nga COVID ndër më të ulëtat në rajon dhe se PD shtrembëron raportin e “The Economist”

Po ashtu ministria e Shëndetësisë bën me dije rastet e vdekjeve janë raportuar me përpikmëri dhe se në raport flitet për vlerësim ku vdekjet mund të jetë 4 herë më të larta se sa raportimet.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Nisur nga deklaratat e pavërteta të Partisë Demokratike, mbi të ashtuquajturën “fshehje të vdekjeve nga Covid-19”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton qytetarët se janë raportuar përpikmërisht të gjitha rastet e fataliteve të raportuara nga spitalet Covid, përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Artikulli i “The Economist”, të cilin Partia Demokratike e lexon dhe interpreton në mënyrë të shtrembër, siç ka bërë gjatë gjithë kohëzgjatjes së pandemisë, referon një përllogaritje (estimate) të fataliteteve shtesë. Sipas kësaj përllogaritje, në të gjithë botën, numri i vdekjeve shtesë nga Covid-19 dhe pasojave të tij, vlerësohet të jetë 4 herë më i lartë se numri i fataliteteve të raportuara nga Covid-19 (nga rreth 5.5 milion fatalitete në botë, vdekshmëria shtesë si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rreth 19.1 milion). Edhe në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi të bazuar mbi simulime statistikore, përcaktohet i njëjti koefiçient si mesatarja botërore.

Sipas raportit të “The Economist”, vdekshmëria e vlerësuar shtesë për Shqipërinë është më e ulët se sa vende të rajonit dhe më gjerë, si për shembull Mali i Zi, Rumania, Bosnia dhe Herzegovina, Lituania, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria.

Shprehim keqardhjen për “vallen e vdekjes” që vazhdon të heqë Partia Demokratike, tek këmbëngul me shifrat e fataliteteve të pandemisë. Nuk ka qytetar jashtë dyerve të blinduara të PD-së, që të mos e kuptojë se kjo është një orvatje e dëshpëruar për të larguar vëmendjen prej “valles së turpit”, rreth e qark SHQUP-it.