"Policia dhe Prokuroria kishin informacion për persona të armatosur brenda PD dhe nuk ndërhynë", Gjata: Nuk gjykohet me kampe
Gjykata ka liruar 18 personat e arrestuar, të cilët ishin pjesë e protestës së 8 janarit para selisë së PD.
Në një deklaratë për mediet, juristi Çlirim Gjata u shpreh se problemi nuk është se kë ka shoqëruar policia, por që nuk ka bërë asgjë me informacionet e pasura se brenda selisë së PD ndodheshin njerëz të armatosur. Sipas Gjatës, policia ka qenë e informuar që brenda selisë së PD ndodheshin persona të armatosur dhe nuk ka ndërhyrë.
Për sa i përket personave të shoqëruar, Gjata tha se as asnjëri prej tyre nuk është ndaluar brenda ambienteve të PD.
Gjata: Problemi nuk është kush ishte i ndaluar, arrestuar apo shoqëruar. Problemi është që policia nuk ka bërë asgjë për informacionet e sakta që ka pasur që në ambientet e godinës së PD ka pasur grup paramilitar të armatosur, persona që s'kishin asnjë lidhje me PD dhe ishin të gatshëm të përdornin armët kundër demokratëve që kërkonin selinë. Ky është problemi, nuk është çështja e show-t që ka bërë policia atje që thotë morën edhe nga kampi tjetër. Prokuroria dhe policia nuk gjykon me kampe, heton dhe gjykon individualisht. Ky individ ka bërë këtë.
Për sa i përket 18 tonëve dolën pa shumë fakte, madje rrëqethëse sepse prokurori hiqte dorë nga masat se shikonte që nuk kishte asnjë provë dhe kishte raste kur vetë prokurori u shpreh këtë e ka ndaluar policia por nuk ka asnjë provë. Asnjëri nuk është kapur në ambientet e oborrit të PD. Për palën tjetër unë nuk e di, problemi që ne kemi është se policia dhe Prokuroria megjithëse kanë pasur informacione dhe regjistrim të çështjes se ka njerëz të armatosur, pse nuk ka ndërhyrë. Kjo është pyetja 1 milion dollarëshe. Policia nuk ka bërë asgjë për grupin paramilitar që ka qenë brenda PD-së.
