Dhuna e 8 janarit në PD, Sefa: Prokuroria nuk gjeti asnjë send të kundraligjshme në seli
Për Partinë Demokratike, prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë apo send të kundraligjshme në selinë e PD-së pas protestës së 8 janarit.
Sekretari për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa në një prononcim për gazetarët bëri me dije se janë kontrolluar edhe zyrat e deputetëve të PD, por nuk u gjet asgjë.
Ai shton se janë marrë fikëset e zjarrit, të cilat u përdorën për të ndaluar mbështetësit e Berishës, dhe janë administruar si provë nga ana e Prokurorisë.
Indrit Sefa: Prokuroria u tërhoq nga 6 kërkesat që kishte bërë për masat “Detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore. Gjatë kontrollit që u krye prej 5 orësh në selinë e PD nga grupi hetimor, prokurori e pranoi vetë se nga kontrolli i kryer nuk u gjend asgjë e kundraligjshme që kishte cilësinë e provës. Dhe ky ishte fakt publik edhe nga ana jonë. Ne ishim aty dhe kemi dhënë mundësitë prokurorisë për të kryer kontrollet e nevojshme. Madje, janë kontrolluar edhe zyrat e deputetëve të PD, megjithëse ka nevojë, kërkohet autorizim nga parlamenti, siç e dini edhe ju.
Patëm gjithë disponibilitetin nga ana jonë dhe i lejuam që të bënin kontroll të zyrave të deputetëve. Prokuroria sot pranoi se nuk u gjet asnjë send i kundraligjshëm dhe aq më pak në selinë e PD. Kanë kontrolluar gjithë selinë dhe nuk u gjend asnjë send, në bazë të veprës penale që kanë ngritur. Po janë marrë fikëset e zjarrit dhe janë administruar si provë nga ana e Prokurorisë dhe është fakt publik, ato gjenden aty, ishin në tuajt tuaj kur edhe ju bëtë vizitë në seli.

