Meta e Berisha, të padëshiruarit e PS, Balla: Tensionet në PD të mos ndikojnë në punët e Parlamentit
Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy emrat që PS dëshiron të mos jenë më pjesë e institucioneve shtetërore. Nga njëra anë presin dobësimin e figurës së ish- kryeministrit Berisha nga lufta me Bashën, ndërsa për largimin e Presidentit shpresojnë që t’u vijë në ndihmë Gjykata Kushtetuese me 18 janar.
Socialistët për t’i ardhur në ndihmë kryetarit të selisë blu nuk po nxitojnë për të miratuar ligjet që kërkojnë edhe votat e demokratëve, siç është zgjatja e organeve të vettingut apo reforma zgjedhore.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kishte një kërkesë për opozitën, por pa nxitim, që përçarja e opozitës të mos ndikojë në punën e legjislativit.
Balla: Puna e Kuvendit duhet të vazhdojë pa asnjë interferencë nga gjithçka ka ndodhur brenda PS.
Sali Berisha për mazhorancën, është një person i padëshiruar në Parlament dhe këtë fakt socialistët nuk e fshehin.
Balla: Sali Berisha i ka mbyllur hesapet me këtë vend dhe kush e kishte harruar mund ti referohet të shtunës së kaluar.
Pozita, përveç ish-kryeministrit, kërkojnë edhe largimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, por për këtë i kanë sytë nga seanca e 18 janarit në Gjykatën Kushtetuese.
Balla: Vendimi duhet të jetë në dobi të cilësisë së demokracisë në këtë vend. Në rast se vërtetohet se Presidenti ka shkelur kompetencat e tij, ka thyer Kushtetutën, Presidenti duhet shkarkuar.
Ndërsa për emrin e ri i cili do të zëvendësojë Metën, socialistët e kanë të qartë idenë që nëse nuk arrihet të zgjidhet me konsensus me PD, do të zgjidhet sipas procedurave parlamentare, që do të thotë vetëm me votat e tye.
Balla: Në 3 raundet e para Presidenti zgjidhet me shumicë të cilësuar, 3/5 e anëtarëve të Kuvendit dhe më pas në raundin e 4-5 Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.
Ky sesion i ri parlamentar do të çelet me 17 janar me Presidentin turk Recep Tajip Erdogan dhe pritet të mbyllë punimet me zgjedhjen e ri të Kreut të Shtetit shqiptar.
