“Rrjedhja e deputetëve te Berisha” Basha: Matematikë e vjetër, Opozita është cilësi, jo sasi

Për kryedemokrati Lulzim Basha, ndarja e deputetëve të PD-së tashmë, ku një pjesë mbështetësin ish-kryeministrin Berisha është një matematikë e vjetër.

I pyetur nga ABC News për këtë copëzim të partisë dhe për faktin se në parlament tashmë PD mund të ketë 15 deputetë më pak si mbështetës të tij, Basha tha se opozita nuk është sasi, por cilësi.

Kryedemokrati shtoi se këto janë llogari të vjetra tashmë dhe se ai i fton shqiptarët që të shohin përtej kësaj matematike drejt ndryshimit.

Basha: E para e punës, opozita nuk është sasi, por është cilësi. Partia Demokratike ka ditur, me një numër aktiv shumë më të vogël deputetësh të bëjë opozitën e duhur dhe të jenë të sigurt që kemi numrat, cilësinë, vendosmërinë për të qenë opozita deri në momentin kur të rikthehet drejtësia, legjitimiteti dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kjo qeveri ilegjitime, produkt i masakrës zgjedhore, t’i lërë qeverisë së zgjedhur nga shqiptarët.

Kjo është matematika e vjetër, matematika e vagonëve mekanikë, matematika që sillte në pushtet Edi Ramën me Ilir Metën, pasi s'kishin lënë gjë pa thënë kundër njëri tjetrit, plus kriminelët që solli në parlament në 2013-n dhe vazhdon ti ketë 2017, 2021-n. Kjo është matematika që na detyroi ne në koalicion me LSI-në, kur nuk arritëm të merrnim më shumë se 70 mandate në 2009-n. Kjo është matematika e tranzicionit. Ajo që unë i kërkoj shqiptarëve është t’i çlirojnë mendjet e tyre dhe të shohin përtej matematikës së dinozaurëve të tranzicionit. Shumica e vlerave, shumica e ideve, shumica e shpresave të shqiptarëve, shumica e atyre që kërkojnë normalitet, ata janë shumica të cilët ne do t’i prijmë drejt ndryshimit. Përndryshe nuk do të ketë ndryshim.