Meta takohet me kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë së Veriut: Të dy vendet meritojnë çeljen e negociatave në BE
Presidenti i vendit, Ilir Meta ka takuar kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevsk, njëherazi kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore ndërmjet dy vendeve dhe theksoi domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për të dy vendet. Gjithashtu Presidenti shprehu besimin se me përpjekje të përbashkëta do kalohen pengesat në një kohë të afërt.
"Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi angazhimet konkrete të palës maqedonase për të avancuar me projektin shumë të rëndësishëm të Korridorit 8, që do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe marrëdhëniet midis dy vendeve."
Në njoftimin e presidencës thuhet se zoti Meta çmoi rolin dhe kontributin e faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në të gjitha zhvillimet demokratike dhe progresin e vendit në proceset euroatlantike.
Nga ana e tij, zoti Kovaçevski siguroi se një nga prioritetet e Qeverisë së tij në fushën investimeve do të jetë pikërisht Korridori 8.
Gjithashtu, ai u shpreh se Qeveria e Tij do të jetë plotësisht e angazhuar në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe për thellimin, në të gjitha fushat, të bashkëpunimit me Shqipërinë, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë.
