Ditëlindje në shkallët e PD, mbështetësit e Berishës në Sarandë nuk lejohen të futen në seli
31-vjetori i degës së Partisë Demokratike në Sarandë i ka gjetur të ndarë demokratët. Mbështetësit e Sali Berishës festuan në shkallët e selisë, pasi dera ishte e mbyllur, ndërsa ata të Lulzim Bashës kishin zgjedhur një lokal për përvjetorin e forcës politike.
Mbështetësit e Sali Berishës e gjetën të mbyllur derën e selisë së degës së Partisë Demokratike në Sarandë.
Ata shkuan atje për 31-vjetorin e themelimit të degës lokale të partisë, por në pamundësi për të hyrë brenda, ata festuan në shkallët e në oborrin e selisë.
Ndryshe nga përplasjet e ashpra mes palëve në Tiranë e në rrethet e tjera, demokratët në Sarandë shprehën keqardhje që nuk janë të bashkuar në përvjetorin e themelimit të partisë.
"Po përballemi me një nga sprovat më të vështira në këto vite, e kemi shumë të vështirë mos të jemi të bashkuar sot. Të gjithë demokratët bashkë në një ditë të veçantë si kjo, me miqtë tanë të ditëve të vështira, ditëve të protestave, ditët e çadrës së lirisë, ditët e fushatave derë më derë."
Nga ana tjetër mbështetësit e Lulzim Bashës festuan themelimin e partisë në një lokal.
"Me një parti të integrimit evropian dhe besojmë shumë se kjo arrihet me kryetarin Lulzim Basha."
Partia Demokratike është përfshirë në përplasje të forta javët e fundit mes mbështetësve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.
