Spaho: Demokratët nuk ja falin Bashës atë që i bëri më 8 janar, i goditi në mënyrën më të egër

Gjykata ka liruar 18 personat e arrestuar, të cilët ishin pjesë e protestës së 8 janarit para selisë së PD. 

Deputeti i PD-së, Edmond Spaho në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se vendimi i Gjykatës vërtetoi se anëtarët e PD ishin krejt paqësorë dhe objektivi ishte të hynin në shtëpinë e tyre sepse është shtëpia e tyre.

Spaho: U provokuan nga ata të cilët ishin brenda ku kishte dhe kriminelë. Ata nuk u kapën fare, kanë bërë sikur arrestuan disa nga ata që gjendeshin brenda, kriminelët e vërtetë u lanë të lirë, dolën. Ata ishin të armatosur, i kanë nxjerrë natën me mjetet e drejtuesve të PD-së. Kur dera e blinduar u hap u thirr policia me urdhër të Bashës e cila hodhi gaz pafund sikur kishte përballë armiq të qytetarëve dhe jo protestues paqësorë të cilët donin të hynin në shtëpinë e tyre.

Deputeti Spaho u shpreh se pjesa dërrmuese e xhamave janë thyer nga brenda selisë për të hedhur gaz. Sipas tij, policia është palë me Bashën.

Spaho: Me urdhër të zotit Basha është sjellë policia dhe ka hedhur gaz lotsjellës. Drejtuesi i operacionit i bërtiste policëve hidhni gaz edhe kur njerëzit po iknin. Nga radhët e protestuesve ka 12 të plagosur, ndërsa nga ata që ishin brenda nuk ka asnjë të gërvishtur. Nuk mund të barazojmë sjelljen e atyre që ishin brenda, me sjelljen e protestuesve paqësorë.

"Lulzim Basha me njerëzit e tij shërbejnë si patericë e Edi Ramës. Një vend që nuk ka opozitë gradualisht kthehet në diktaturë."

Zoti Spaho tha se janë ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga Statuti. 

Si do të veprohet për largimin e Bashës?

Spaho: Do të vazhdojmë në përputhje me vendimet që ka marrë Kuvendi i 11 dhjetorit ku përfshihet riorganizimi i PD. Në 22 mars do mbajmë Kuvendin që do zgjedhë strukturat drejtuese, do bëhet plotësimi i strukturave, di përgatitet programi i PD, do koordinohet edhe me luftën në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse do vazhdojnë edhe protestat. Sipas vullnetit të anëtarësisë do mbajmë protestën e radhës.

Deputeti tha se Edi Rama dhe Lulzim Basha janë bashkë dhe këtë e panë edhe qytetarët. Opozita e vërtetë është ajo që ka dalë nga Foltorja, tha Spaho, ndërsa protesta tregoi që Lulzim Basha është më i egër se Edi Rama.

Spaho: Demokratët nuk ja falin Lulzim Bashës atë që bëri më 8 janar, i goditi në mënyrën më të egër.

22 marsi

Spaho: Do të jetë Kuvendi që do zgjedhë të gjithë strukturën e PD.

Spaho tha se i kanë bërë ftesë edhe Bashës që të marrë pjesë në garën për kryetar dhe të votëbesohet.

Sipas tij, kjo nuk është çështje mes dy grupeve por është çështje themelore në shoqërinë shqiptare; a do ketë opozitë apo jo. Spaho tha se lufta pop bëhet për të pasur një opozitë të vërtetë.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku