"8 janari" Godole: PD ka mundësinë të reflektojë. Nëse do të ringrihet duhet të dekomunistizohet
“Skena e dhunës së 8 janarit do të mbetet gjatë në mëndjen jo vetëm të çdo shqiptari por dhe të çdo demokrati” thotë Jonida Godole sekretare e të Përndjekurve Politikë në Partinë Demokratike në një intervistë për Ora News.
Si analiste e situatës politike në këto 30 vitet e fundit, e quan të pashmangshme faktin që PD do vinte një moment të reflektonte dhe pikënisjen e dhunës së 8 janarit e sheh tek vendimi i Bashës më 9 shtator 2021 me shpalljen non grata të Sali Berishës. Vijoi 4 muaj me dhunë verbale ne foltore, thotë ajo, për të kulmuar më 8 janar 2022.
“Ishte mbase e pashmangshme që të vinte një moment që PD të reflektonte në të ardhmen, pasi ishte shmangur qartazi nga ai lloj vizioni që kishte pasur në fillim të 1990 por personalisht nuk e kisha imagjinuar, e nuk kam besuar kurë që të arrinim deri në këtë pikë, në këtë dhunë. Në një ndeshje të demokratëve me demokratët nuk e kisha imagjinuar asnjëherë.
Çfarë e solli këtë dhunë të datës 8 është ajo çfarë ndodhi në këto 4 muaj pas vendimit të kryetarit të partisë për të pezulluar nga grupi parlamentar zotin Berisha të shpallur non grata derisa të zgjidhte në rrugë ligjore. Për mua kjo nis pas datës 9 shtator. Pas vendimit që u mor në 9 shtator. Të gjithë më pas u kthyen befas dhe përqëndruan sulmin dhe gjuhën e urretjes. Ishte një dhunë verbale që u kulmua muaj pas muaj, foltore e pas foltore për të kulmuar më 8 janar.
Godole e quan të qëllimtë për të anashkaluar një moment të rëndësishëm siç ishte ai i shpalljes “non grata” të Sali Berishës nga SHBA.
“Ishte shmangia e vëmendjes nga vendimi non grata dhe përqëndrimi tek një kryetar i cili e çoi PD-në drejt humbjes, pa analizuar se cilat ishin këto arsyet, duke nisur nga gabimet që ka bërë PD. E shoh një problem personal të një personi që do e kisha mbështetur shumë që të vazhdonte anën ligjore që vetë deklaroi se do të ndiqte.
U anashkalua ky moment i rëndësishëm i shpalljes “non grata” dhe u fut në një axhendë tjetër që çoi në dhunë më 8 janar. Aty shoh diçka të qëllimtë. Që demokratët të mos i shtronin vetes pyetjen: Një PD në 2022 që synon të vijë në pushtet, si mund të vijë në pushtet me një person non grata në krye” tha Godole për Ora News.
Beson se skenat e dhunës që u panë në selinë PD jo vetëm do të ngelin gjatë në mëndjen e secilit por dhe janë moment që PD duhet të reflektojë thellë për të analizuar si do të ringrihet.
“Të vendosë një gurë. Le të jetë kjo hera e fundit që vendosë skena të tillë dhune dhe PD të ecë përpara. PD ka mundësinë e madhe të reflektojë e të ndahet nga dhuna që ishte fizike më 8 janar por ka qenë dhunë verbale e fizike në këto 30 vite. Mos harroni gjuhën e urrejtjes që përdoret në Parlament. Dhe PD nëse do të kthehet në pushtet ndonjëherë duhet të bëjë një analizë të thellë të gjërave që ka ndodhur. Përse arriti deri këtu dhe si do të ringrihet. Varet nga analiza që do të bëjë, tani si do të ringrihet, të rihapet me aleancën qytetare
Ajo dhunë ishte fizike por në këto 30 vite ka qenë dhuna verbale dhe fizike. PD nëse do të vijë në pushtet duhet të bëjë një analizë tërësore si do të ringrihet dhe të rihapet me aleancën qyetare
Kjo është e vetmja zgjidhje tani. Një reflektim i thellë, një hapje e partisë dhe një hapje për mendimin ndryshe brenda partisë.
PD që erdhi si parti që në mënyrë simbolike i dha fund komunizmit e futi komunizmin brenda vetes duke përjashtuar dhe ndrydhur të gjithë zërat ndryshe që ishin aty. Dhe mendimin tim sidoqëtëjetë ai deri tani në ato pak mbledhje që kemi bërë unë e kam dhënë mendimin tim. Shpresoj që PD ta kuptojë që e vetmja mënyrë që ajo të ringrihet e fortë është të lejojë mendimin ndryshe të personave që janë aty brenda që duan ti bashkohen asaj me ide konstruktive.
Dekomunistizimi nuk është aq i thjeshtë. E kemi brenda nesh. Mënyrën si e përdorim gjuhën e urrejtjes ndaj çdo kujt që mendon ndryshe”