"Karbon në gjak", Bankers Petrolium nxjerr naftë e prodhon ndotje
Më në fund institucionet reaguan dhe kompania naftënxjerrëse Bankers Petrolium Albania u ndëshkua për ndotjen që krijon.
IKMT e gjobiti me 2 milionë lekë dhe pezullim aktiviteti për 60 ditë.
Por dëshmia e ndotjes të Bankers Petrolium është në gjakun e banorëve të Marinzës.
"Kam bërë analizat e gjakut të familjes time, kanë dalë me karbon".
Viktor Ngjeliu dhe familja e tij i kanë shtëpitë e tokat pranë depozitave e puseve të naftës.
Ai tregon se për shkak të naftës që ka deportuar, toka nuk prodhon asgjë.
"E kam mbjellë dhe nuk kam marrë asnjë prodhim."
Që kur erdhi në vitin 2004 si kompani kanadeze dhe mori nën administrim puset e naftës në Patos Marinzë, e tashmë nën admistrim kinez, Bankers Petrolium Albania ka fituar para e ka prodhuar ndotje.
Këto pellgje naftë në mes të arave dhe këto pamje të ashtuquajtura gropa ekologjike janë të tjera dëshmi që kompania Bankers ka shkelur lejen mjedisore dhe po helmon zonën ku vepron.
Me 1 prill 2015, një pus nafte i kompanisë Bankers Petroleum shpërtheu duke dëmtuar dhjetra shtëpi dhe duke detyruar evakuimin e banorëve.
Disa prej të cilëve në vazhdimësi kanë denoncuar se u gënjyen dhe u lanë në rrugë nga kompania naftënxjerrëse.
"Në vitin 2015 kompania më ka shpërngulur, më ka dhënë qera për të ikur në Fier. Ika një vit dhe këtë nuk e përsëris më."
Për ndotjen dhe shkeljen e ligjeve Bankers Petrolium është ndëshkuar edhe më parë, por prej disa vitesh ankesat dhe denoncimet e banorëve që jetojnë pranë zonës naftëmbajtëse kishin rënë në veshin e shurdhët jo vetëm të kompanisë, por edhe të vetë institucioneve.




