Shisnin mallra kontrabandë të një biznesi në Kosovë, arrestohen në Tiranë dy postierët
Dy persona kanë rënë në pranga për tregtim të mallrave kontrabandë, ndërsa janë shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre.
Finalizimi i operacionit policor të koduar “Online” çoi në arrestimin e shtetasve
B. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe A. R., 27 vjeç, banues në Durrës, të dy punonjës në një postë private.
Gjithashtu u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit N. C., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një poste private, dhe B. Sh., 38 vjeç.
Këta shtetas dyshohet se kalonin në kufi, duke shmangur detyrimet doganore, mallra kontrabandë të një subjekti tregtar në Kosovë, dhe më pas i shisnin ato, duke fshehur të ardhurat, te personat që i kishin porositur online në Shqipëri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale "Kontrabanda me mallra të tjerë", “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, ”Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

