Protesta e 8 janarit, PD raport për ambasadat dhe KE: Berisha sulmoi brutalisht selinë e PD-së
Lidhur me protestën e dhunshme të 8 janarit para selisë, PD i ka dërguar një raport ambasadave të huaja në vendin tonë dhe Komisioni Evropian.
Raporti 8-faqësh i PD-së përshkruan ngjarjet që ndodhën atë ditë në selinë blu shoqëruar edhe më foto të ndryshme.
Mes të tjerash, në raport thuhet se Deputeti Sali Berisha sulmoi brutalisht dhe në mënyrë të paprecedentë selinë blu me qëllimin largimin me forcë të kryedemokratit Lulzim Basha.
“Deputeti Sali Berisha sulmoi brutalisht dhe në mënyrë të paprecedentë selinë blu me qëllimin largimin me forcë të kryedemokratit Lulzim Basha. Në video ngrihen dyshime për bashkëpunimin dhe rolin e Sali Berishës duke orkestruar këtë dhunë të paprecedentë në selinë blu. Berisha deklaron në media se nuk ka dhunë nga mbështetësit e tij, ndërsa filmohet nga ato bërë gjestin e dorës për t'u mbledhur para hyrjes kryesore dhe vetëm pak minuta më vonë turma sulmon në mënyrë të paprecedentë godinë duke thyer dyer e dritare”, - thuhet në raportin e PD.
Po ashtu, jashtë raportit nuk lihen edhe dhunimi i Roland Bejkos apo marrja në mbrojtje nga Garda e deputetit Enkelejd Alibeaj.
“Një orë para nisjes zyrtare të protestës së thirrur nga Berisha, disa mbështetës të tij sulmuan fizikisht dhe verbalisht sekretarin e PD-së për Zhvillimin Vendor Roland Bejko, në prani të gjerë të mediave dhe kamerave. Gjithashtu nënkryetari i PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj ishte vënë nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare pasi u sulmua dhe u kërcënua me jetë nga persona të mbledhur sot në protestën e thirrur nga Berisha”, - citon raporti.
Ndërkohë, në raport thuhet se pas protestës, oficerët e policisë iniciuan ndalimin dhe shoqërimin e demorkatëve në komisariat.
“Pas mbylljes së konferencës për shtyp nga zoti Basha dhe kur përfaqësuesit e PD-së nisën të largoheshin nga selia e partisë, oficerët e policisë iniciuan sërish ndalimin dhe shoqërimin e tyre në komisariat. Ndër personat e ndaluar nga policia nuk kanë qenë vetëm përfaqësues të PD, deputetë, por edhe media e gazetarë. Reagimi i menjëhershëm ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm, Bardhi i cili e dënoi këtë lëvizje të policisë dhe kërkoi shpjegime se pse përfaqësuesit e PD-së u morën për herë të dytë në pyetje, ndërkohë që kishin dëshmuar njëherë”, - thuhet në raport.
Kujtojmë se ditën e sotme, kryesia e PD-së, mori një tjetër veprim drastik duke përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe 8 anëtarëve të tjerë që ishin pjesë e Komisionit të Rithemelimit.
Konkretisht bëhet fjalë për: Bujar Nishanin, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Rigels Muçollari, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën.
