Përjashtimi i Berishës dhe 7 anëtarëve nga PD, Koti: Vendimi i Bashës vetëvrasje politike

Sali Berisha është përjashtuar përfundimisht nga Kryesia e Partisë Demokratike. Në mbledhjen e Kryesisë  e cila zgjati rreth 7 orë, u vendos edhe  përjashtimi i 7 anëtarëve dhe pezullimi i disa mbështetësve të tjerë të ish-kryeministrit Berisha.

Vendimi për përjashtim nga Kryesia u mor edhe për Bujar Nishanin, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën.

Deputetja e PD-së, Sorina Koti në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se ndihet e shokuar nga vendimi i marrë nga kryesia e partisë.

Koti: Ndihem e keqardhur që PD ka arritur në një pikë ku përjashtohen drejtues të lartë, njerëz të cilët kanë kontribuuar prej vitesh, ndërkohë që duhej të ishim forca politike ku do lejohej mendimi i lirë sepse ën fund të fundit jemi krijuar si një forcë politike për të qenë të lirë.

Koti u shpreh se askush nuk është lajmëruar për çfarë do të ndodhte por ishte diçka e pritshme pasi nga informacionet e marra ishin informuar që gjithkush që mendonte ndryshe në një moment të caktuar do largohej nga PD. Deputetja shtoi se secili nga emrat e përjashtuar nuk është thjesht një emër në listën e  anëtarëve të PD, por secili nga ata emra ka simpatizantë që kanë besuar te ata njerëz për të qenë pjesë e PD.

Koti: Nuk është kaq e thjeshtë të përjashtosh 7 anëtarë nga PD dhe të pezullosh 20 të tjerë, por është përtej saj. Ajo që dua të vë në dukje, është që në momentin që ne e kemi luksin të përjashtojmë njerëz, deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar do të thotë që kemi humbur shumë vota dhe shumë mbështetje. Vendimi që ka marrë Basha është një vetëvrasje politike për shkak të humbjes së votave që mund të vijnë nga krahu tjetër. Është një zhgënjim i madh për njerëzit që kanë mbështetur qoftë PD, qoftë individë të veçantë.

Koti u shpreh se ata janë pjesë e PD dhe si deputetë janë pjesë e grupit parlamentar të PD, çfarëdolloj vendimi që të marrë Basha dhe kryesia. Sipas saj, Shqipëria është në një moment kritik ku po humbet zëri opozitar.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Xhuljana Zhuleku