E përjashtuan nga PD, Spaho: Qesharake. Basha i vetmi kryetar që ngrihen anëtarët ta shkulin nga zyra

Deputeti demokrat Edmond Spaho e quan pa vlerë ligjore e politike vendimin e kryesisë së PD-së për përjashtimin e tij nga PD.

“E kam  marrë me të qeshur pasi ajo kryesi që merr këto vendime, nuk ka ekzistuar si e tillë pasi ëstë zgjedhur në kundërshtim  me statutin që ka miratuar Basha në korrik të 2021 dhe se bashku me Bashën 44 mijë anëtarë votuan për ta shkarkuar.

Vendimet e tyre nuk kanë asnjë vlerë janë zero, edhe nga pikëpamja juridike partiake. Më kujtojnë atë periudhën kur përjashtohej nga partia e të prisnin cilin fshat do të internojnë" tha Spaho në një intervistë telefonike për Ora News.  

Spaho tha se vendimi është taktikë si e Ramës

"Qëllimi i vërtetë është të largojë vëmendjen nga dhuna që ushtroi mbi demokratët më 8 janar. Është e njëjta praktikë që përdor Edi Rama. Së të dy i ngjajnë dhe i shërbejnë njëri tjetrin. Kanë qëllim që të shmangin vëmendjen nga dhuna. Duan që njerëzit të merren me përjashtimet dhe jo dhunet. Është i pari në botë që pretendon se është kryetar partie që i ngrihen anëtarët për ta shkulur nga zyra dhe është i vetmi në botë që i përgjigjet me shkop gome, plumba gome, gaz dhe thërret atë që e quan polici e krimit që i hodhën gaz lotsjellës demokratëve.

Ishte mbyllur në bunker, i blinduar dhe pretendon të jetë drejtues i 44 mijë anëtarëve që i spërkati me gaz lotsjellës” 

Spaho la të kuptohet se vendimi nuk ka pasur asnjë ndikim në axhendën e tij politike të vendosur nga Komisioni i Rithemelimit.

"Rithemelim do të thotë rithemelim në të gjithë degët. Kemi nisur organizimin. Unë jam rrugës për në Korçë për tu marrë me disa degë. Synojmë një parti më të bashkura" tha Spaho për Ora News.