Me drogë e lëndë plasëse drejt Greqisë, kapet një nga tre trafikantët që u arratis në pyll
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 20-vjeçar të dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për armëmbajtje pa leje.
20-vjeçari dyshohet gjithashtu si një nga autorët e ngjarjes së 28 dhjetorit të vitit që lamë pas në fshatin Kakavije, ku u gjetën 44 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, 4 kallëpe me lëndë plasëse, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, në tentativë për t’i trafikuar në shtetin grek.
"U bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Surjat Rroshi, 20 vjeç, banues në fshatin Mesopotam, Sarandë, të cilin Gjykata e Apelit Gjirokastër e ka dënuar me 2 vite e 8 muaj birgim, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" njoftoi policia.
Ngjarja u regjistrua në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë, ku nga shërbimet e Policisë u gjetën 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis sattiva, me peshë totale 44 kilogramë e 500 gramë, 4 kallëpe me lëndë plasëse, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, në tentativë për t’i trafikuar në shtetin grek.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet në ngarkim të shtetasit Surjat Roshi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", "Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe "Trafikim i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” kryer në bashkëpunim.
