Dëmet nga tërmeti në Devoll, Kryebashkiaku: Banesat e ndërtuara para viteve '90-të, po kryhen verifikimet
Të paktën 6 banesa janë dëmtuar nga tërmeti i së dielës në juglindje të vendit. Kreu i Bashkisë së Devollit tha se janë ngritur tanimë grupet e ekspertëve dhe po kryhen verifikimet në terren, ndërsa për pak ditë pritet që të ketë një raport të plotë të dëmeve.
Tërmeti me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter të dielën rreth orës 22:43 minuta që goditi zonat e juglindjes dëmtoi të paktën 6 shtëpi në Devoll.
Fshatrat Mançurisht dhe Shuec janë ndër më të prekurit nga lëkundjet, të cilat kishin një epiqendër rreth 40 kiloemtra larg Bilishtit.
Kreu i Bashkisë së Devollit tha se dëmet kanë ardhur edhe për shkak të tërmeteve të mëparshme, ndërsa banesat janë të ndërtuara para viteve '90.
"Ndërtesa e dëmtuara nga tërmeti janë ndërtime të para viteve '90. Dëmtimet janë shkaktuar dhe nga tërmetet e mëparshme."
Duro u shpreh se brenda pak ditësh grupet e verifikimit në terren do të paraqesin një raport të plotë me dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
"Kemi krijuar Komisionin e Verifikimit, me të mbaruar verifikimi në terren do të bëhet vlerësimi i dëmeve."
Ashtu si në në të gjithë vendin edhe zona e juglindjes është goditur nga tërmete të herëpashershme vitet e fundit.

