Skandal me ilaçet në burgje, KLSH: Në magazinë u gjetën medikamente të skaduara që në vitin 2019
Nuk kanë të sosur skandalet me procedurat e tenderimeve nga institucionet shtetërore. Një i tillë denoncohet së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili gjatë auditimit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ka konstatuar shkelje të rënda në tenderat e ilaçeve, të cilat janë blerë shumë afër datës së skadencës. Po ashtu janë gjetur medikamente të skaduara dhe kancerogjenë. Abuzimet përllogariten në shifrën e 4 milionë lekëve.
Auditimi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh në Drejtorinë e Burgjeve për periudhën 2019-2020.
Abuzimet janë kryesisht në blerjen e medikamenteve, të cilat përllogariten në vlerën e 4 milionë lekëve.
Sipas raportit të publikuar nga kontrolli i kryer në magazinën e ilaçeve u gjetën medikamente të skaduara që në vitin 2019, por në inventarizimin e bërë në fund të vitit 2019 këto medikamente nuk janë deklaruar të skaduara.
Skandali thellohet më tej pasi këto medikamente që kanë skaduar gjatë vitit 2019 janë blerë me afat skadence më të vogël se 1.5 vjet.
Ndërkohë kontrata përcakton se barnat duhet të kenë afat skadence jo më pak se 1.5 vite nga momenti i pranimit.
I njëjti fenomen konstatohet edhe me barnat e skaduara gjatë vitit 2020, ku pjesa më e madhe e tyre nuk përmbushin kushtin e kontratës përsa i përket afatit të skadencës.
Nga verifikimet e bëra është konstatuar se në vitin 2020 vlera e medikamenteve të skaduara është me e lartë se në vitin 2019.
Kjo lidhet me faktin se në vitin 2019 janë blerë më shumë medikamente sesa në vitin 2018.
Gjithashtu është evidentuar se disa barna që janë blerë në vitin 2018, edhe pse kanë skanduar gjatë vitit 2019 për shkak të mospërdorimit, në blerjet e po këtij viti sasia e këtyre medikamenteve është rritur.
Ndërkohë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit kanë skaduar medikamente në atë sasi që janë bërë hyrje, duke mos përdorur asnjë copë të vetme.
Sipas KLSH kjo situatë tregon se këto institucione nuk bëjnë planifikim sipas nevojave reale për medikamente, duke shpërdoruar në këtë mënyrë fondet publike.
Një problematikë tjetër e konstatuar është prania e medikamentit Ranitidinë, i cili sipas njoftimeve të FDA dhe EMA nuk duhet të përdoret pasi përmban elementë kancerogjenë, por Drejtoria e Burgjeve nuk ka marrë asnjë vendim për tërheqjen e këtij medikamenti duke rrezikuar jetën e të burgosurve.

