Kopshti reagon për vdekjen e 3-vjeçarit: Jemi ende të shokuar, presim zbardhjen e ngjarjes

Kopshti privat “Flatrat e dijes” në Fier ku humbi jetën vogëlushi 3-vjeçar i çifti Kodheli ka reaguar për herë të parë publikisht për ngjarjen e rëndë.

Në një postim në faqen zyrtare në facebook thuhet se "jemi ende të shokuar dhe thellësisht të trishtuar për humbjen tragjike të jetës së një fëmije".

Ekipi i 80 punonjësve të këtij institucioni  thotë se ndan dhimbjen e pamasë për këtë humbje të papritur me të gjithë familjarët e vogëlushit të ndjerë.

Në përpjekje për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie, kopshti bën me dije se stafi është vënë tërësisht në dispozicion të autoriteteve për të ndihmuar plotësisht hetimin.

"Ne kemi bërë gjithçka për të siguruar mbarëvajtje të plotë në mjediset tona duke respektuar rigorozisht standardet e kërkuara nga autoritetet. Gjithashtu, si në rastin konkret, ne respektojmë standardin e kërkuar për numrin e fëmijëve nën mbikëqyrje të edukatores duke e patur dhe ndjeshëm më të ulët".

Kopshti shton se Bordi dhe stafi ka organizuar një proces komunikimi të hapur me prindërit  për të ofruar të gjithë informacionin e duhur për një transparencë të plotë dhe për të marrë çdo sugjerim për përmirësimin e parametrave të sigurisë. Çdo prind e qytetar është i ftuar të kontribuojë.

Duke mbetur në dispozicion të hetimit të autoriteteve, drejtuesit e kopshtit presin zbardhjen e kësaj ngjarjeje të dhimbshme.