U provua se kanë qenë në Kosovë, gjykata liron dy të arrestuarit për vrasjen e ish-deputetit, Pashko Ujka
Më shumë se një muaj nga ekzekutimi i ish deputetit dhe ish kryetarit të Komunës Velipojë, Pashko Ujka në Shkodër, hetimet po kthehen në pikën zero!
Kristjan Kelmendi, i arrestuar si vrasësi i dyshuar dhe Marjan Kola ndaj të cilit ishte ngritur dyshimi i bashkëpunëtorit në krim kanë lënë qelitë e paraburgimit.
Gjykata e Shkodrës ka ndryshuar për ta masën e sigurisë nga “arrest me burg” me afat në “arrest shtëpie”
Vendimi është marrë pasi gjykata ka administruar si provë një video ku pala mbrojtëse pretendon se provon se dy të rinjtë e dyshuar për vrasjen e ish deputetit ditën e krimit ishin në Kosovë.
Familjarët e Kristjan Kelmendit e paralajmëruan këtë provë ditën kur të rinjtë u njohën me akuzat në Gjykatë.
"Djali ka qenë në Kosove. Jane kamerat"
Përveç kësaj videoje Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër është në pritje edhe të disa provave të tjera.
Përmes videove dhe faturave të ndryshme të blerjeve, avokatët e Kristjan Kelmendit dhe Marjan Kolës, pretendojnë se do të faktojnë se ata ishin në Kosovën ditën dhe orën kur ndodhi krimi.
Në rast se këto prova do të administrohen nga Gjykata atëherë pala mbrojtëse do të kërkojë lirimin nga çdo akuzë të dy të dyshuarve.
Ish deputeti Pashk Ujka, që po ashtu ka mbajtur postin e kryetarit të Komunës Velipojë, ndërsa njihej edhe si ndërtues, u ekzekutua mbrëmjen e 29 Nëntorit 2021, pranë banesës së tij në Shkodër.
