Çantat me lëndë narkotike, C4 dhe kapsolla drejt Greqisë, trafikantët i ndihmoi shiu të arratisen bosh

Një tentativë e trafikimit të drogës dhe ekspozivit drejt Greqisë është goditur në kufirin e Gjelbër në Gjirokastër. Policia sekuestroi rreth 45 kilogram kanabis dhe eksploziv plastic C 4,  por tre trafikantët i shpëtuan arrestimit duke përfituar nga moti i keq.

Tre persona tentuan të trafikojnë ekspoziv dhe drogë drejt Greqisë përmes Kufirit të Gjelbër në Gjirokastër.

Autoritetet kishin marrë informacion, ndaj forcat e FRONTEX që monitorojnë kufijtë jugor kundër trafikut të qenieve njerëzore janë vënë në aksion bashkë me policinë kufitare të Kakavijës!

Trafikantët janë pikasur në një zonë të pyllëzuar mes fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë.

Ata mundën ti shpëtojnë arrestimit pasi u larguan duke përfituar nga moti i keq dhe terreni, ndërsa braktisën dy çantat me drogë e municion.

Aty policia gjeti 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis sattiva, me peshë totale 44.5 kg.

Gjithashtu edhe 4 kallëpë me lëndë plasëse të llojit C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës të cilët dyshohet se do të shitesin në tregun e zi të municioneve në vendin fqinj.

Dyshimet janë se tre trafikantët, kanë arritur të kalojnë kufirin e gjelbër dhe kanë hyrë në Greqi.

Ndaj operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e tyre është shtrirë njëkohësisht në të dy vendet, por deri më tani pa rezultat.

Forcat e FRONTEX janë vendosur në kufijtë jugore e verilindor të vendit në vitin 2019, në kohën kur Shqipëria u përfshi në rrugën ballkanike të emigrantëve nga vendet e lindjes që tentojnë të kalojnë tranzit drejt Bashkimit Europian.