Ngjarja tragjike në Fier, në këtë raft pretendohet se mbeti i varur 3-vjeçari, familja nuk e beson

Gjykata e Fierit caktoi masën 30 ditë burg për edukatoren Redina Binjaku, e cila u arrestua pas vdekjes së 3-vjeçarit në kopshtin ku ajo punonte. Togat e zeza i lanë prokurorisë një muaj kohë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa familjarët kanë ngritur akuza ndaj kopshtit privat, duke hedhur dyshime për neglizhencë në lidhje me ngjarjen. 

Ky është rafti i kopshtit privat “Flatrat e dijes” ku dyshohet se mesditën e së premtes humbi jetën fëmija 3-vjeçar në Fier.

Sipas të dhënave të para, 3-vjeçari dyshohet se ka hipur në këtë raft për të marrë xhupin në varsen e rrobave, por në rrethana të paqarta ka mbetur i varur nga pas në trikon që kishte të veshur.

Kjo situatë por edhe vonesa e ndërhyrjes nga punonjësit e kopshtit ka rezultuar fatale për vogëlushin, i cili ka mbetur i vdekur.

Personi i parë që ka gjetur 3-vjeçarin e varur është edukatorja Redina Binjaku 27 vjeç, e cila e ka dërguar menjëherë në spital, ndërsa bluzat e bardha kanë deklaruar ai ka mbërritur i pajetë.

Edukatorja e kopshtit u arrestua pas ngjarjes, ndërsa Gjykata e Fierit dha të martën masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor, derisa prokuroria të përgatisë të gjithë dosjen.

Më herët familjarët e 30vjeçarit kanë hedhur dyshime dhe akuza ndaj kopshtit ku ndodhi ngjarja.

Sipas tyre drejtuesit e institucionit kishin deklaruar se gjithçka do të zbardhet me vënien në dispozicion të kamerave të sigurisë, por më vonë deklaruan se zona ku ka ndodhur ngjarja nuk ka mbikqyrje me kamera.

Familjarët i bënë thirrje prokurorisë që të zbardhë ngjarjen, ndërsa kanë kundërshtuar edhe versionin se fëmija ka vdekur në varësen e rrobave, siç u tha fillimisht.