Protestë në Laç për riparimin e pallateve të dëmtuar, banorët hedhin dyshime për cilësinë e punimeve

Krahas rindërtimit në bashkinë Kurbin vijon edhe rikonstruksioni i objekteve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.Banorët e disa pallateve, kanë dyshime për cilësinë e punimeve dhe mungesën e projektit, shqetësime për të cilat drejtuesit vendorë nuk u kanë dhënë asnjë sqarim.

Banorët e një blloku pallatesh të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Laç, ngrenë dyshime për cilësinë e punimeve për rikonstruksionin e shtëpive.

"Kjo ka ikur si mur, kërkojmë specialistë ta shohin që të futen brenda njerëzit."

4 pallatet, ngjitur me njeri-tjetrin, kanë pësuar dëmtime që ende janë të dukshme.

Banorët kërkojnë që të bëhet transparent projekti i rikostruksionit të tyre, pasi thonë se nuk kanë siguri që të jetojnë aty.

"Themelet nuk i kanë hapur tamam, projekti është me u shemb të gjitha ballkonet, themelet i kanë lënë pa futur, hekurin. Të bëhet pallati sipas projektit të shtetit ose të ndalojnë punimet."

Shqetësimin thonë se e kanë ngritur edhe në Bashkinë e Kurbinit, por nuk kanë marrë përgjigje.

"Kryetarja e bashkisë nuk e vë ujin në zjarr fare se ka banorë këtu."

"E kanë për detyrë të sqarojnë banorët, jeta jonë është në rrezik."

I kontaktuar për këtë çështje, drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë Kurbin Benard Pali rrëzon pretendimet e banorëve.

Ai thotë se pallatet e dëmtuar nga tërmeti po rikonstruktohen brenda të gjitha parametrave teknike, duke dhënë garanci për jetën e banorëve.