“PD për të qarë e për të qeshur" Rama: Dy kufomat politike po kacafyten, e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar të rëndë gjendjen në të cilën ndodhet opozita. Duke komentuar përplasjen Basha-Rama pasi mblodhi Kryesinë e PS, kreu i qeverisë tha se mazhoranca do të kërkojë hapësira bashkëpunimi me opozitën edhe pse ato tani për tani duken të paqarta. Sipas Ramës, Lulzim Basha e ktheu selinë e PD-së në bunker në vend që t'ia besonte mbrojtjen policisë.
Kryeministri, Edi Rama, nuk ka humbur rastin të komentojë zhvillimet brenda opozitës pas mbledhjes së kryesisë së PS.
"Për të qarë e për të qeshur. Është moment shumë dramatik. Situata në PD është kacafytje. Dy kufomat politike po kacafyten, e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë.Uroj që demokratët të kapërcejnë këto dy reforma e të ecin përpara. Të dy këta përfaqësues të mbetur nga e shkuara në këmbë nuk kanë asnjë legjitimet veç e veç sigurisht deputetët e PD-së janë legjitimë sepse janë me votën e popullit dhe për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim, ne jemi aty për ta bërë atë. Unë uroj që të jetë një proces që shkon drejt një zgjidhjeje paqësore. Uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet të mbeten mbrapa".
Kreu i PS-së përsëriti sërish etiketimin e kufomave politike për krerët e dy kampeve kundërshtare brenda PD, por shtoi se Lulzim Basha bëri të paimagjinueshmen, duke e kthyer selinë e PD në një bunkër.
"Policia e Shtetit ishte në sfidën e vet më të vështirë të këtyre 30 viteve pasi kurrë nuk i është dashur të futet në oborrin e një partie për të ndarë 2 palë që kacafyten dhe që mund të shkojnë deri në gjakderdhje. Nuk ishte e nevojshme të fortifikohej PD, mund të thirrej policia dhe ta mbronte godinën".
Ndërkohë kryesia e Partisë Socialiste miratoi projektvendimin për mbledhjen e Kongresit në datën 29 janar dhe draftin paraprak me propozimet për ndryshime në statutin e PSSH-së dhe strukturat rinore të partisë.
"Të gjithë jemi duke u plakur por në fund të ditës nuk ka rëndësi sa të shkruhet mosha por se sa ndihesh. Gjithmonë ripërtëritja dhe organizimet kanë qenë të PS".
Grupi i Posaçëm i punës për Statutin do të vazhdojë diskutimin për dokumentin përfundimtar i cili do ti paraqitet për miratim delegatëve të Kongresit.
Gjatë punimeve të Kongresit, paralelisht do të organizohet votëbesimi nga Asambleja Kombëtare për Sekretariatin Ekzekutiv të partisë.
