Rama i trishtuar për ikjen e Sassolit: Le një boshllëk te kushdo që pati nderin e kënaqësinë të të njihte
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Në një postim në facebook, Rama thotë se Sassoli, një politikan i respektuar nga të gjithë dhe avokat i zjarrtë i Shqipërisë, ka lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte.
"Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte...Addio caro David, riposa in pace".
Edhe presidenti Ilir Meta ka vlerësuar rolin e Sassolit në zgjerimin e BE drejt Ballkanit Perëndimor.
"I hidhëruar nga humbja e papritur e një europianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e Tij dhe institucionet europiane!"
Socialdemokrati italian David Sassoli , ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të së martës, në moshën 65-vjeçare, njoftoi zëdhënësi i tij.
Ish-gazetari italian dhe politikani i qendrës së majtë vuante nga një sëmundje e rëndë për më shumë se dy javë, e si rrjedhojë kishte anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare.
Sassoli u shtrua në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të një komplikacioni serioz me sistemin e tij imunitar.
Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano, njoftoi zëdhënësi i tij, Roberto Cuillo në Twitter.
