Berisha: Në protestën tjetër do përgatitemi më mirë, shtëpia do pastrohet nga vrasësit

Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se qëllimi i protestës së 8 janarit ishte paqësore dhe qëllimi ishte që Basha të nxirrej jashtë selisë. Por qëllimi nuk u arrit, pasi mbështetësit e Bashës, sipas Berishës ishin të pajisur me gaz që nuk përballohej në ambientet e brendshme. Berisha u shpreh se gazin e kanë hedhur të parin mercenarët e Lulzim Bashës. Ai  paralajmëroi se herën tjetër protestuesit do të përgatiten më mirë për të hyrë në ndërtesë.

"Shkuam për të nxjerr jashtë selisë vrasësit, banditët. Për të nxjerr nga zyra butësisht jo me të prekur, deputetin Lulzim Basha. Këto të dyja ishin qëllimet. Qëllimi maksimal nuk u arrit. Ishte gazi që nuk përballohej në ambientet e brendshme. Ata dispononin të gjitha mjetet që disponon policia e ndërhyrjes së shpejtë. Dispononin pistoletë neuroparalizuese. Dispononin bomba gazi, bomba shurdhuese, bomba tymuese, pluhura toksike që përdoren në zjarrfikëse, dispononin armë.

Aty kishim një njësi para militare të përbërë nga vrasës, trafikantë, pengmarrës të licencuar nga qeveria e cila i kishte ngarkuar atyre një detyrë, të mbrojnë peng Bashën dhe të mbajnë të pushtuar selinë e demokratëve. Aty ka pasur vrasës të dënuar. Pajisjet anti-gaz gjenden me vështirësi, ndaj do të bëhen përgatitje më serioze herën tjetër dhe shtëpia do pastrohet nga vrasësit dhe trafikantët," tha Berisha në Euronews.