Rikthehen hallet e dimrit, bora krijon vështirësi në rrugë, era dëmton rrjetin elektrik

Rikthimi i reshjeve të dëborës, riktheu edhe hallet e dimrit për shumë zona malore të vendit. Ngricat vështirësojnë qarkullimin, ndërsa stuhia ka dëmtuar rrjetin elektrik, duke lënë pa energji dhjetra fshatra nga jugu në veri.

Reshjet e dëborës kanë rikthyer problematikat në veri e juglindje të vendit.

Në qarkun e Korçës, trashësia e dëborës varion nga 7 deri në 25 centimetra.

Në rrugën e Dardhës rekomandohet përdorimi i zinxhirëve nga kilometri i katërt deri në fshat.

Ndërsa nga kilometri i 11 deri në të 14 mund të qarkullohet vetëm me zinxhirë.

Zinxhirët janë të nevojshëm edhe në disa pjesë të rrugës që të çon në Voskopojë, ku trashësia e dëborës shkon deri në 10 cm.

Reshjet e dëborës u rikthyen të hënën edhe në qarqet e Dibrës, Kukësit e Shkodrës.

Akset nacionale raportohen të gjitha të hapura, por vështirësi ka në rrugët e fshatrave për shkak të dëborës dhe rrëshqitjeve të gurëve e dherave.

Rruga e zonës turistike të Thethit në Shkodër, raportohet e kalueshme, por shoferët këshillohen të lëvizin me goma dimërore dhe të jenë të pajisur me zinxhirë për çdo situatë.

Probleme ka me furnizimin me energji nga jugu në veri. Në juglindje, 15 fshatra të Njësisë Gorë në Maliq dhe disa fshatra në Mollas të Kolonjës janë pa energji prej të hënës.

Edhe në Kukës këtë të martë mbizotëronte zhurma e gjeneratorëve pasi qyteti dhe fshatrat e 6 njësive administrative ishin për orë me radhë pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës.

Situatë e ngjashme edhe në disa fshatra të Tropojës dhe Hasit.

Temperaturat ndërkohë kanë shënuar rënie të ndjeshme në të gjithë vendin dhe parashimet janë se do të zbresin deri në -11°C gjatë 13 janarit.