Basha premton ringritje të PD: Objektivi ynë është në konflikt me trekëndëshin e Bermudës
Lulzim Basha i premtoi demokratëve ringritje të PD-së. Ai tha se detyra e tij e parë, ashtu si e çdo demokrati është të ndërtojnë gjithçka duke u bazuar në hallet e qytetarëve. Por më tej shtoi se qëllimi për të ringritur PD-në bie në kundërshtim me objektivat e Trekëndëshit të Bermudës që sipas tij janë Ilir Meta, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Basha: Vendosmëria ime është e palëkundur. Do qëndrojmë në këtë betejë për ju, të ndërtojmë edhe nga fillimi aty ku është e nevojshme, të rindërtojmë dhe riparojmë kudo ku pashallarët kanë shkatërruar shpresën e shqiptarëve dhe mundësitë e tyre për një jetë më të mirë. Gjithçka të mirë që kemi që nga rënia e diktaturës është prej qytetarëve të lirë shqiptarë, gjithçka të zezë e kemi prej politikës së dinosaurëve të tranzicionit të cilëve po i vjen fundi një nga një.
Detyra ime e parë dhe detyra e parë e çdo demokrati është të ndërtojmë gjithçka duke u bazuar te hallet dhe problemet e shqiptarëve. Pavarësisht se ky objektiv është në konflikt të plotë me një grusht të vogël njerëzish që janë trekëndëshi i Bermudës dhe një grusht oligarkësh financiarë dhe grupet e krimit të organizuar.
