Basha: Sot nuk është ditë për të vallëzuar mbi rrënojat e PD siç bëri Berisha
Lulzim Basha e shikon si një bilanc tragjik për demokratët dhe shqiptarët atë që ndodhi dje gjatë protestës së thirrur nga Sali Berisha përballë selisë së PD. Basha u shpreh se sot nuk është ditë për të kërcyer dhe vallëzuar mbi rrënojat e PD, ashtu siç bëri Berisha. Më tej ai tha se Berisha u mundua për disa muaj të manipulonte demokratët por ata qëndruan të fortë për një familje politike.
Basha: Ndodhem këtu papushim që nga ngjarja, nuk mund të ndaj asgjë tjetër me demokratët dhe gjithë shqiptarët përveç trishtimit të thellë për atë që ka ndodhur dje. Sot nuk është ditë për tu krenuar apo për të qeshur, nuk është ditë për të vallëzuar mbi rrënojat e dhunës siç bëri ai që ishte më parë, të një agresioni që s'ka asgjë të përbashkët me demokracinë dhe vlerat e familjes tonë.
Është një ditë për të përsëritur atë që kemi thënë prej ditësh. Qëllimi i vetëm i Sali Berishës është qëllimi që e ka deklaruar që në korrik që nëse PD nuk e merrte nën mbrojtje pasi u shpall non grata, atëherë PD nuk e meritonte të ekzistonte. Prandaj u mundua të manipulonte demokratët për disa muaj. Demokratët qëndruan të fortë për një familje politike. Një person i akuzuar për korrupsion nuk mund të marrë peng sakrificat e qindra mijërave demokratëve. Sot unë nuk mund të kem buzëqeshje në fytyrë.
