"Berisha dhe Rama kërcejnë napolonin mbi rrënojat e PD", Basha: Ne do t'ia ndalojmë vallen
Sali Berisha ditën e sotme, 9 janar paralajmëroi një tjetër protestë. Lulzim Basha në një deklaratë për mediet u shpreh se qëllimi i PD është rruga drejt ndryshimit.
Basha: Në javët e ardhshme oligarkët që financojnë mediet, aleatët politikë të trekëndëshit të Bermudës, në veçanti të dyshes Rama-Berisha do investojnë shumë para që ta zhvendosin debatin në çështje dytësore ose fare të parëndësishme. Ndërsa përpjekja ime do jetë ta mbajmë vëmendjen aty ku duhet, drejt rrugës së ndryshimit.
Basha tha se rruga drejt ndryshimit nisi në shtator me iniciativat e PD për të luftuar masakrën zgjedhore dhe ata që ndaluan ndryshimin më 25 prill.
Basha: Për të hetuar dhe për të vënë para drejtësisë qeverinë më të korruptuar, të kryeministrit më të korruptuar të Ballkanit, të njeriut që sot është në krah të Sali Berishës dhe kërcejnë vallen e napolonit mbi rrënojat që ka lënë Berisha prapa që të harrohet afera e incineratorëve, apo e vjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve. Ne jemi këtu t'ia ndërpresim këtë valle.