Kanosje dhe trafik mjetesh motorike, ekstradohen shqiptari dhe italiani nga Hungaria dhe Italia

Ekstradohen nga Hungaria dhe Italia dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për  kanosje dhe trafikim të mjeteve motorike.

Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Hungaria drejt vendit tonë, i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Bilbil Lluka, 36 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, më datë 25 janar 2021 i ka caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg", për veprat penale "Kanosja" dhe "Armëmbajtja pa leje”.

Kapja e këtij shtetasi u bë e mundur në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bazë të informacioneve për vendndodhjen e tij në shtetin e Hungarisë.

Po nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë, i shtetasit italian Eduardo De Francesco, 56 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 14 shkurt 2019, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Personi i ekstraduar në PKK Rinas, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.