Kapet një tjetër anëtar nga 'banda e skifterëve' të kasafortave të vilave e bizneseve në autostradën Tiranë-Durrës
Bie në prangat e policisë së Tiranës një tjetër anëtar i grupit të hajdutëve që kryente vjedhje të kasafortave në biznese dhe vila në autostradën Tiranë-Durrës.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Altin Koçeku, 30 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar "Autostrada", për veprën penale "Vjedhja" kryer në bashkëpunim.
"Ky shtetas dyshohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kryente vjedhje të kasafortave në biznese dhe vila në autostradën Tiranë-Durrës".
Në kuadër të operacionit të zhvilluar më 12 dhjetor u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë.
Ndërkohë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore se në lagjen "18 Shtatori", Gjirokastër, ndodhej një person i shpallur në kërkim, organizuan punën dhe bënë të mundur kapjen e shtetasit Viktor Gaço, 38 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, në bazë të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Viktor Gaço iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme.
