Bardhi: Berisha manipuloi referendumin e 18 dhjetorit, kërkon përplasje mes demokratëve
Në një prononcim për mediat, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se institucionet e PD kanë zgjedhur që në nisje të asaj që e quajti si farsë të Berishës, te mos të merren me këto gjëra.
Sipas tij, në votimin e 18 dhjetorit për referendumin e shkarkimit të Bashës, janë futur brenda ambienteve ku bëheshin votimet, më shumë anëtarë sesa kanë pasur listat realisht.
Bardhi shtoi se Berisha i harton vetë listat, vetë voton dhe vetë numëron, duke manipuluar rezultatet me 5 apo 6-fishime të votave.
Bardhi: Secili prej jush gjatë këtyre ditëve ka dëgjuar nga Berisha dhe cilido që ka vendosur interesat e tij mbi ato të demokratëve, se u realizuar një referendum ku morëm pjesën 44 mijë anëtarë. Në fakt institucionet e PD kanë zgjedhur që në nisje të kësaj farse, për të kamufluar interesin e halleve personale, që mos të merren me këto gjëra. Kjo ka qenë arsyeja që nuk jemi marrë kurrë me asnjë proces jo legjitim. Në degën ku rezulton i regjistruar dhe zoti Basha, u pa se ça ndodhi.
Sot çdo shqiptar, çdo demokratë ka parë se si nga 117 anëtarë të PD, nga rreth 190 individë që kanë hyrë brenda ambienteve ku bëheshin votimi, rezultati u pa se kishin marrë pjesë më shumë anëtarë. Në këtë degë secili prej jush mund të shihni 12 orë filmime, nga momenti i hapjes së derës deri te procesi i fundit, në këtë proces kanë marrë pjesë më pak se 10% e anëtarëve të kësaj pjesë dege.
Ky proces u realizua njësoj në të gjitha degët e partisë. Por kemi vendosur që të heshtim në funksion të demokratëve. Me një 50-fishim apo 6-fishim, ku Berisha harton vetë listat, vetë i jep fletat e votimit, dhe i numëron, kur ky proces është manipuluar në mes të Tiranës, imagjino se çfarë është bërë në degë të tjera të Shqipërisë. Faktet e zbuluara vetëm në një nga degët e partisë e bëjnë të qartë faktin se shumica dërrmuese të demokratëve kanë zgjedhur të ardhmen. Berisha u demaskua. Në 31 vite politikë ai ka provuar se nuk vendos asgjë mbi interesin personal. Kjo tregon braktisjen dhe dëshpërimin që shtyn Berishën drejt thirrjes për dhunë dhe përplasjes mes demokratëve, duke i dhënë frymë pushtetit të Ramës."
