"Basha të bëhet një herë në jetë lider", Pllumbi: Të dalë dhe të votëbesohet!
Dje, më 5 janar ishte afati i fundit që Basha kishte për të liruar selinë e PD-së, ultimatum i dhënë nga Grupi i Rithemelimit të PD. Në datën 8 janar, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë kombëtare për të çliruar selinë.
Aktivisti i PD-së, Alfred Pllumbi i ftuar në Ora News me gazetaren Siklajda Shorja shprehu besimin se pjesëmarrja në protestën e 8 janarit, të thirrur nga sali Berisha do të jetë e madhe.
Pllumbi: Do jenë të gjithë aty për të kërkuar largimin e Bashës, për mos e mbajtur më peng PD, e cila lindi si shtëpi e lirisë dhe sot askush nuk do ta besonte se pas 30 vitesh do të kthehej në një bunker.
Pllumbi u shpreh se kur në demokraci nuk i nënshtrohesh vullnetit të shumicës, anëtarëve i lind e drejta që të kthehen tek godina e PD, pasi ajo godinë i takon anëtarëve dhe shumicës.
Pllumbi: Askush nuk mund ta mbajë të kyçur. Basha i kishte të gjitha mundësitë që të evitonte këtë përplasje brenda PD-së. Interesi më i mirë i PD-së është të dëgjohet zëri i secilit anëtar. Basha ka shanset e fundit, ai mund të votëbesohet. Për të evituar përkeqësimin e situatës Basha të dalë dhe të bëhet një herë në jetë lider. Të thotë " Po dakord dua të votëbesohem." Ai njeri që ka frikë nga votëbesimi, anëtarësia dhe vota e lirë nuk meriton të jetë lider.
"Blindimin" e selisë së PD, aktivisti e shikon si shfaqjen më të shëmtuar në historinë e pluralizmit. Sipas tij, kjo nuk duhej të kishte ndodhur në PD.
