Komandoja e Forcave Operacionale Speciale të SHBA në Europë ngre shtabin bazë në Shqipëri
Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion
"Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik" thuhet në deklaratën e Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara.
Një gjë të tillë e ka përshëndetur edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila shkruan se kjo është hera e parë që ngrihet një shtab i përgjithshëm në vendin tonë.
Ajo shton se kjo është një mënyrë shumë e mirë të për nisur Vitin e Ri dhe se një akt i tillë është me rëndësi për rajonin.
Yuri Kim: Shkëlqyer për të nisur Vitin e Ri me zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Hera e parë që Shtetet e Bashkuara vendosin një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale.
"SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t'iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme" vijon deklarata.
Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama e quajti një lajm fantastik dhe shprehje e një besueshmërie shumë të lartë. Kryeministri falenderoi ambasadoren Yuri Kim për lehtësimin “e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi duke na mundësuar që të jemi në një komunikim të nivelit më të lartë prej një kohe tani relativisht të qëndrueshme dhe pse jo edhe të gjatë.”
“Po e prisnim me padurim daljen e këtij lajmi kaq të mirë, edhe për ata që na qahen, “ku i kemi armët, ku i kemi helikopterët, ku i kemi pushkët, ku i kemi koburet”. Ne jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por jemi tanimë një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë” tha Rama.
