Berisha paralajmëron Ramën: Hiq dorë nga skenarët e thurur me pengun tënd kundër demokratëve

Në 31-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike ne Fier, Sali Berisha akuzoi ashpër Lulzim Bashën, duke theksuar se bashkë me Edi Ramën po kërkojnë të marrin peng selinë e Partisë Demokratike.

Ish-kryeministri Berisha tha se Rama dhe Basha dështuan për të marrë peng PD dhe për të terrorizuar Kuvendin dhe referendumin.

Sali Berisha foli për një skenar të Bashës me Edi Ramën, kundër demokratëve.

Berisha: Hiq dorë nga skenarët e thurur së bashku me pengun tënd kundër demokratëve, hiq dorë sepse absolutisht ne merremi njëlloj si me pengun edhe me pengmarrësin. Ne nuk mposhtemi nga asgjë. Ne kërkojmë, asgjë tjetër, veçse shtëpinë tonë të uzurpuar, shtëpinë tonë të shndërruar në një burg të vërtetë, ta shndërrojmë siç duhet të jetë, në shtëpinë e vërtetë të lirisë, demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë.

Ai tha se Lulzim Basha është farë e keqe e moralit njerëzor, duke e cilësuar peng në aferën e ndërtimit të portit të Durrësit.

Berisha: Njeriu që demokratët i besuan drejtimin, solli forcën tonë politike nga humbja në humbje. Ai dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite, ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm. Jo se ne nuk punuam që të ishte lider i besueshëm, por e thotë populli: "Fara e keqe e tillë mbetet." Është peng i vërtetë në afera të mëdha korruptive. Është peng i dosjes Nik Muzinit dhe Toyta Yaris dhe i lidhur në afera biznesi në portin e Durrësit me Edi Ramën. Nuk kemi të bëjmë me një person me çrregullime të shëndetit mendor por me një farë të keqe të moralit njerëzor që nuk njeh asnjë normë, standard apo gjë tjetër.

Ai e cilësoi datën 8 janar si datë historike jo vetëm për PD-në, por për kombin shqiptar. Ndaj ai kishte një thirrje për të gjithë demokratët që  ti bashkohen lëvizjes së tij.

Ish-kryetari i demokratëve që kërkon sërish të rikthehet në atë karrige, tha se demokratët në këto tri muaj i treguan botës se liria nuk vdes kurrë në zemrat e tyre.