Kokaina në kontenjer, shoferi jo vetëm që u kërcënua, por dyshohet se u pagua për të mos folur nga grupi që i hipi në kabinë
Sasia prej 119 kg kokainë e bllokuar nga policia e Tiranës, brenda një kontenjeri me banane, i përket një grupi të fortë kriminal, që vepron në qytetin e Durrësit.
Madje kreu i këtij grupi administron pasuri dhe resorte turistike.
Sipas të dhënave të siguruara nga Ora News, ajo që është publikuar deri në këtë fazë të hetimit, është vetëm maja e ajsbergut, pasi situata e këtij rasti të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri është shumë më e komplikuar.
Ka dyshime të forta se shoferi i kamionit të kompanisë private që tregton banane, jo vetëm që është kërcënuar me fjalë, por dhe të jetë paguar nga 4 pjesëtarët e skuadrës që e ndaluan dhe kontrolluan kamionin.
Policia dyshon se kjo pagesë në disa mijëra euro është kryer me qëllimin e vetëm për ti mbyllur gojën shoferit, në mënyrë që ai të mos fliste dhe të mos tregonte asnjë gjë rreth asaj që ndodhi.
Dyshimet e policisë janë se pagesën shoferit ja ka bërë pikërisht njeriu që i ka hipur brenda në kabinën e drejtimit të kamionit. Ndërsa tre personat e tjerë me një elektrik dore, kanë kontrolluar për gati 40 minuta të gjithë kamionin për të gjetur arkat ku ishte futur sasia e kokainës.
Për fatin e keq të 4 personat, nuk kanë mundur të gjejnë asnjë arkë ku ishte vendosur kokaina, pasi droga ndodhej në pjesën e parë të kontenjerit.
Grupi dyshohet të ketë paguar dhe shoferin e firmës private, për të mos folur dhe mos raportuar për situatën e ndodhur në Romanat.
Ndaj me sa duket, dyshohet se edhe shoferi nuk ka raportuar në kohë, por vetëm një ditë më pas kur dhe kishte ndodhur ngjarja e rëndë.
Të inkriminuar në marrjen e pagesave dyshohet se kanë qenë dhe punonjësit e skanimit të kontenjerëve.
Megjithëse ata e kanë kryer këtë procedurë skanimi, çuditërisht asnjëri prej tyre nuk ka reflektuar asnjë dyshim mbi prezencën e sasisë së kokainës në arkat me banane.
Imazhet e skanimit të kamionit janë printuar të pastra, duke nxjerrë jo të infektuar me sende të paligjshme, si nga jashtë dhe nga brenda kamionin.
Ditën e djeshme dhe ditën e sotme, prokuroria e Tiranës dhe policia kanë marrë në pyetje punonjësit e skanerit që kanë shërbyer pikërisht në mbrëmjen e datës 28 dhjetor 2021.
Të gjithë punonjësit kanë dhënë shpjegime duke treguar mënyrën e punës, ndërsa janë shfajësuar se skaneri nuk i ka dhënë asnjë imazh të dyshimtë që mund të raportonin tek policia prezencën e drogës apo qoftë dhe sendeve të tjera të paligjshme.
Pritet që në ditët në vijim, mund të ketë masa ndalimi për disa nga punonjësit e skanerit.
Ndërsa kjo çështjë po diskutohet në prokurorinë e Tiranës, për kalimin në prokurorinë e posaçme SPAK, për hetime të mëtejshme.


