Ademi "qeveris" me socialistët, këshilltarët e PS "bekojnë" buxhetin 2022 për Shkodrën
Në detyrë pa u zgjedhur prej vitit 2019, kryebashkiakja demokrate e Shkodrës, Voltana Ademi mori sërish bekimin e këshilltarëve socialistë për buxhetin 3.2 miliard lekësh të vitit 2022. Me 36 vota pro dhe vetëm një kundër, këshilltarët vendosën rritje e disa tarifave e taksave vendore.
Me disa ndryshime e kritika, socialistët në këshillin bashkiak të Shkodrës miratuan buxhetin 3 .2 miliard lekësh të bashkisë së drejtuar nga demokratja Voltana Ademi.
36 vota ishin pro, ndërsa kundër doli vetëm Arbis Vjerdha.
"Shansi i zi sterrë të jesh pjesëtar i këtij Këshilli Bashkiak," tha Vjerdha.
Shkodra për vitin 2022 do të njohë rritje të taksave e tarifave për disa shërbime.
Paralajmërimin e dha vetë kryetarja e bashkisë Ademi, e cila tha se zona tek varrezat e dëshmorëve, zona do të rehabilitohet duke u kthyer në landfil inertesh provizor.
"Të parandalojmë hedhjen e mbetjeve inerte nëpër lumenj dhe nëpër liqene. Me menaxhimin e mbetjeve mbulojmë më shumë territorin, rrisim numrin e popullsisë që mbulojmë," tha Ademi.
Problematikat e pazgjidhura nga ana e bashkisë, u evidentuan në fjalën e të zgjedhurve vendore, që nuk kursyen as batutat në mbledhjen maratonë prej 6 orësh.
"Ne kemi qendra shëndetësore pa ujë të pijshëm."
"Tregojnë edhe një herë mungesën e vullnetit të bashkisë Shkodrë për të adresuar si duhet çështjet sociale-ekonomike të këtij qyteti."
Megjithëse mbledhja më e rëndësishme e vitit, në parlamentin lokal ishin vetëm 37 nga 51 anëtarët, duke nxjerrë në pah indiferentizmin e të zgjedhurve me votë për tu dhënë zë e zgjidhje problemeve të shkodraneve.
