Kush punon më shumë paguhet më shumë, Rama njofton sistemin e ri të pagave për mjekët
Pagat e mjekëve pritet të ndryshojnë bazuar në pikëzimin për performancën në punë të bluzave të bardha. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pagat nuk do të jenë më në dorë të qeverisë pasi do të zbatohet Autonomia Spitalore.
Edi Rama: "Autonomia spitalore, për t’i dhënë mundësi trupave mjekësore dhe gjithë personelit që shërben që të vlerësohen sipas meritës dhe meritën ta vënë në pah si rezultat i funksionimit ndryshe të sistemit. Që do të thotë që kush punon më shumë, kush shërben më shumë, jo në baza subjektive por mbi baza objektive, kush kryen më shumë ndërhyrje, kush kryen më shumë vizita e të tjera sipas gjithë setit të kritereve të performancës në një sistem shëndetësor me autonomi, sigurisht paguhet më shumë."
Rama sqaroi se kjo skemë nuk do të ndikojë në pagën bazë të stafit mjeksor duke theksuar se ajo do të jetë e njëjtë për të gjithë.
"Paga bazë nuk bie poshtë,ndërkohë më lart ngjiten ata të cilët i japin më shumë sistemit"
Këto deklarata Kryemisnitri i Bëri gjatë inagurimit të pediatrisë së re në QSUT ku ndër të tjera u përcaktua se prej këtij viti fokusi do të jetë te fëmijët.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se fokusi do të jetë te shëndeti i syve duke njoftuar dhe depistimin nëpër shkolla.
Pediatria e re ka një kapacitet rreth 200 shtretërish, ndërsa pritet që rikonstruksion të ketë edhe për godinën e vjetë të urgjencës së pediatrisë.
Investimi në kompleksin pediatrik do të vijojë edhe me rehabilitimin e godinës ekzistuese dhe në total për dy fazat e projektit, vlera e financimit është 15 milion euro, informon ministria e Shendetesise.