Shkelen masat, pas grumbullimeve festive dhe politike infektimet me covid kapin pikun
Shqipëria ka arritur numrin më të lartë të infektimeve që nga fillimi i pandemisë dhe e kjo shifër vjen pak ditë pas grumbullimeve gjatë ditëve festive, por edhe aktiviteteve masive të forcave politike.
1236 infektime në 24 orët e fundit ka raportuar ministria e Shëndetësisë në 24 orët e fundit, shifër e cila vjen gati një muaj pas grumbullimeve dhe mosrespektimit të masave anticovid.
Prej fillimit të dhjetorit kur në qendër të Tiranës u ndezën dritat e festave dhe u vendosën kioskat në sheshin “Skënderbej” grumbullimet nuk janë shmangur dot.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nuk ka kursyer në asnjë moment festat me muzike live, duke harruar praninë e variantit Omicron.
Pas këtyre, edhe partitë politike nuk kursyen grumbullimet e militantëve të tyre.
Në 11 dhjetor, ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi rreth 10000 persona në kongresin e rithemelimit të Partisë Demokratike, e një javë më vonë, Lulzim Basha organizoi një tjetër kongres me thuajse të njëjtin numër qytetarësh.
Në asnjë rast Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor apo Policia nuk ndërhynë për respektimin e masave anticovid të cilat nuk lejojnë grumbullimin e më shumë se 50 qytetarëve.
Distanca dhe shmangia e grumbullimeve nuk u arrit dot as ditën e Krishtlindjes.
Por ndërkohë që këto raste shënuan shkelje të masave kundër pandemisë, në 31 dhjetor ministria e Shëndetësisë vendosi të heqë orën policore për natën e ndërrimit të viteve duke lejuar festimet në lokale dhe grumbullimet në sheshin Skënderbej për spektaklin e fishekzjarreve.
Ky vendim i Komiteti Teknik të Ekspertëve u mor në të njëjtën mbledhje ku u raportuan edhe rastet e para me Omicron në Shqipëri, variant për të cilin ekspertët thonë se përhapet me shpejt.
Por pavarësisht kësaj festat nuk u ndalën. Ekspertët e shëndetësisë kanë bërë të qartë, se efekti i grumbullimeve në pandemic i jep rezultatet 2 javë më pas, e sot jemi në kohën kur po i shohim këto rezultate.
Përvec kësaj të mërkure, numrin më të lartë të infektimeve vendi ynë e ka raportuar në shkurt të 2021 me rreth 1130 raste si dhe në Gusht të 2021 me 1054 qytetarë të infektuar.
