Vijon "lufta" për selinë e PD-së, vetëm me leje nga administrata mund të hysh brenda
Në kulmin e tensioneve në Partinë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur të vijojë me ndryshimin e imazhit të selisë.
Banderolat në fasadën e godinës kanë nisur të ndryshojnë këtë mëngjes, ku të rinjtë e kësaj force politike i kanë vendosur të reja.
Një pjesë e tyre vazhdojnë të mbajnë siglën e PD dhe një pjesë tjetër shënojnë "Zgjedhim të Ardhmen. "
Më herët në godinë janë vendosur dhe kamera të sigurisë, ndërsa janë ngritur akuza se dyert e jashtme dhe të brendshme të selisë janë blinduar.
Kjo me qëllim për të mos lejuar mbështetësit e Berishës për të hyrë në ambiente, apo për të mos nisur grevë urie datën 8 janar kur dhe është paralajmëruar protesta.
Edhe hyrjet kanë ndryshuar nga kjo derë kryesore kalimi do të jetë me leje, përjashtuar këtu Lulzim Bashën.
Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit tentuan edhe këtë të enjte, 6 janar të hyjnë në derën ku një muaj më parë kalonin lirshëm.
Aldo Bumçi akuzoi Bashën për bunkerizim.
"Për herë të parë në 30 vjet partia e Lulzim Bashës ka mbyllur dyert, është kthyer në një bunker. Kjo është kriminale, projekti për ta zhdukur opozitën. Ku ta marrim lejen, të aplikojmë te e-Albania për të hyrë në seli," tha Bumçi.
Basha ka ndjekur zhvillimet nga bari në oborrin e selisë, ndërsa për këtë është përgjigjur Gent Strazimiri
"Nuk ka punë tjetër përveçse të pijë kafe. Premtoi më 26 prill 2021 betejë pa kompromis," tha Strazimiri.
Edhe të rinjtë e PD kanë tentuar të hyjnë në seli, por sërish nuk është bërë e mundur.

