Festohet dita e ujit të Bekuar, besimtarët ortodoksë hidhen në ujërat e lumenjve e deteve për Kryqin
Besimtarët e krishterë kremtuan ditën e Ujit të Bekuar që simbolizon pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e Lumit Jordan. Të favorizuar nga temperaturat e ngrohta në mes të dimrit, këtë vit ishin më të shumtë të rinjtë që u zhytën në ujërat e lumenjve, deteve e liqeneve për të kapur kryqin e shenjtë.
Qindra besimtarë ortodoksë u bënë pjesë e Kremtimit të Ditës së Ujit të Bekuar në Berat.
7 të rinj sfiduan temperaturat dhe u krodhën në ujin e ftohtë të Osumit për të nxjerrë Kryqin e Shenjtë.
Ishte 26-vjeçari Pirenc Zharra nga lagjja Goricë ai që kapi kryqin për herë të parë në jetën e tij.
"Mbarësi dhe shëndet në familjet e tyre."
Me Kryqin në Dorë me tej i riu bëri xhiron tradicionale përmes lagjeve Goricë Mangalem e Kala ku banorët e shpërblejnë.
Në Lushnje, ceremonia u mbajt buzë Lumit Seman, dhe ishte Edison Nushi që e kapi kryqin për të tretin vit radhazi.
"Është hera e tretë që e kap dhe jam shumë i kënaqur. Falenderoj Zotin për këtë ditë."
Në Sarandë, Vlorë e Durrës, ceremonia e hedhjes së kryqit në uji u zhvillua buzë detit.
Në Sarandë kryqi u kap nga 42 vjeçari, Luka Todhëri.
"Falenderoj Zotin që më bekoi duke e marrë këtë radhë."
Në Vlorë ishte 19 vjeçari Kristi Komini që nxori kryqin nga Uji për të dytin vit radhazi.
"Ndihem shumë i lumtur dhe si besimtar jam shumë krenar që e kapa kryqin sot, në këtë ditë të bekuar."
"Sot quhet dita e dritave sepse Krishti solli dritën në botë."
Ndërsa 30 vjeçari Esi Papajorgji triumfoi në ujërat e detit Adriatik
"Është përvojë shumë e veçantë për mua."
Ndërsa në Pogradec, ceremonia u mbajt në Liqen, ku kryqin e kapi për herë të parë Xhoel Jaicari.
Në qytetet e tjera ceremonia u zhvillua pranë shatërvanëve.
6 janari për besimtarët ortodoks simbolizon pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan.
Në këtë ditë ata mbushin ujë të bekuar në Kisha të cilin e mbajnë në shtëpi deri vitin tjetër, pasi besojnë se i ndihmon për të përballuar sëmundje dhe vështirësi me të cilat mund të hasen.

