Vrasja e Azem Hajdarit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për Izet Haxhinë

Gjykata dhe Prokuroria e Tiranës kanë refuzuar kërkesën e Izet Haxhisë për rihapjen e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit.  Në përfundim të procesit në Gjykatën e Tiranës, Prokuroria kërkoi 25 vjet heqje lirie për vrasjen  e ish-deputetit dhe sulmin me armë ndaj truprojave të tij. Izet Haxhia ka braktisur seancën duke deklaruar se nuk ka besim tek drejtësia.

Prokuroria e Tiranës paraqiti pretencën në procesin ndaj izet Haxhisë, duke kërkuar dënimin me 25 vjet burg për të akuzuarin si pjesëmarrës në vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.

Në konkluzionin e çështjes, prokurori Dritan Nushi kërkoi që Izet Haxhia të shpallet fajtor për vrasjen e ish-deputetit të PD, Azem Hajdari, dhe të dënohet për këtë krim me 22 vjet heqje lirie, për vrasjen e truprojës Besim Çerja dhe të dënohet me 17 vjet burg si dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Zenel Nezës, bodigardit tjetër të ish-funksionarit demokrat për të cilën organi i akuzës kërkoi 17 vjet heqje lirie.

Në bashkim të tri dënimeve, Prokuroria kërkoi përfundimisht 25 vjet heqje lirie për Izet Haxhinë duke i rekomanduar Gjykatës, që i pandehuri ta kryejë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Pasi ka dëgjuar pretencën e Prokurorisë, Izet Haxhia është shprehur kundër dhe ka vendosur të braktisë seancën, ndërkohë që avokatët e tij kërkuan kohë për të përgatitur mbrojtjen.

Në këto kushte, Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 21 janar ku do të dëgjojë konkluzionet e avokatëve mbrojtës të Izet Haxhisë, për të shpallur më pas vendimin.

Avokatët thanë se pretenca e paraqitur së fundi nga Prokuroria nuk ka asnjë ndryshim nga qëndrimi i organit të akuzës në procesin e parë ndërkohë që Gjykata ka refuzuar kërkesën për rihapjen e çështjes përmes marrjes së provave e dëshmive të reja.

Ish-deputeti Azem Hajdari u vra me armë pranë selisë së PD më 12 shtator 1998. I akuzuari si një nga autorët e ngjarjes, Izet Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006 ku kërkoi strehim politik, por në 2018 Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin drejt Shqipërisë. Nga ajo kohë Izet Haxhia ka kërkuar rihapjen e çështjes por kërkesa e tij është refuzuar.

Vrasja e Azem Hajdarit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për Izet

Vrasja e Azem Hajdarit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për Izet