Gazsjellësi rus në pikëpyetje, Gjermania: Nëse pushtohet Ukraina, do ketë pasoja

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Berbock ka vizituar Uashingtonin disa ditë përpara bisedimeve SHBA-Rusi në Gjenevë, ku është takuar me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

E pyetur nga gazetarët, jashtë Shtëpisë së Bardhë, Berbock deklaroi se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës në Ukrainë nga ana e Rusisë do të ketë pasoja dramatike diplomatike dhe ekonomike, duke iu referuar gazsjellësit rus që furnizon me gaz Gjermaninë.

"E bëra të qartë edhe një herë se nëse Rusia përdor energjinë si armë, kjo do të ketë pasoja në projektin Nord."

Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken gjithashtu i bëri thirrje Gjermanisë se nëse Moska pushton Ukrainën të tërhiqet nga projekti i gazsjellësit rus ‘Nord Stream 2’.

Gazsjellësi Nord Stream 2 do të hapet së shpejti duke dërguar gazin rus direkt në ekonominë më të madhe evropiane, atë të Gjermanisë.

Rusia, e cila ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufirin me Ukrainën dhe dëshiron që javën e ardhshme në Gjenevë të shqyrtohen kërkesat e saj për mos zgjerimin e aleancës së NATO-s e konkretisht mos anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën e Atlantikut.