Atentati i Vlorës/ Shenja plumbash dhe njolla gjaku, Ora News shkon në vendin ku u qëllua 36-vjeçari
Një ditë pas atentatit të mbrëmjes së 5 janarit në Vlorë, ku mbeti i plagosur në dorë 36-vjeçari, Diego Hanaj, Ora News shkon në vendin e ngjarjes.
Gazetari i Ora News, raporton se në lagjen "Pavarësia" shenjat e plumbave duken në xhamat e ndërtesave dhe marketit, ku ndodhi atentatit. Në drejtim të Hanajt mendohet të jetë shtënë rreth pesë herë.
Gjithashtu në rrugë kanë mbetur dhe njolla gjaku, informon Ora News.
Hanaj ka qenë duke pirë kafe disa minuta përpara ngjarjes teksa një automjet i dyshuar Audi e ka pritur tek hyrja e pallatit të tij në lagjen "Pavarësia", Vlorë.
Sapo Hanaj po shkonte për në banesë nga automjeti janë ulur xhamat është nxjerrë një armë e llojit pistolet dhe është qëlluar drejt tij.
Fatmirësisht Hanaj e ka vënë re pistoletën dhe ka filluar të vrapoj deri tek marketi pak metra më tutje.
Një plumb e ka kapur në dorë, një tjetër tek xhamat e një ndërtese ndërsa një plumb tek xhami i marketit në fjalë, kur Hanaj ka shkuar tek marketi automjeti është larguar.
Kamerat e marketit kanë fiksuar pjesën ku Hanaj vrapon në drejtim të marketit, por pa fiksuar automjetin, i cili besohet se është larguar në drejtim të rrugës Transballkanike për të pasur mundësi të humbasë gjurmët dhe ti shpëtoj policisë.
10 dëshmitarë
Hanaj është çuar në spital nga persona që ishin aty pranë teksa edhe policia është lajmëruar nga banor të lagjes të terrorizuar për ngjarjen. Mendohet se rreth 10 persona janë pyetur për ngjarjen, disa prej tyre të shoqëruar edhe në komisariatin e Vlorës janë dëshmitarë okularë të cilët kanë parë ngjarjen dhe mund të kenë më shumë të dhëna, raporton Ora Neës.
Dëshmia e Hanajt
Në dëshminë e tij të parë në policia Hanaj ka treguar se s'ka mundur ti njoh autorët. Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes apo konflikteve të kohëve të fundit, por nuk përjashtohen as pistat e tjera.
Ndërkohë pronari i marketit i cili ka parë edhe një pjesë të ngjarjes pohon se nuk ndihet i rrezikuar, ndërkohë që mundohet të ngjisë me skoc xhamat të cilët janë thyer nga plumbat.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm policia e Vlorës njoftoi se gjeti një makinë të djegur tip "AuDi Q7" në fshatin "Trevëllazër" Vlorë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.




