Rrëfimi i Eriksen: Vdiqa për 5 minuta, tani dua të luaj në Kupën e Botës
Qershorin e kaluar e gjitha bota e futbollit u shokua nga pamjet e transmetuara live kur Christian Eriksen pësoi një arrest kardiak. Ndërhyrja e menjëhershme e ekipit mjekësor dhe e skuadrës e ndihmuan atë të rikthehej në jetë dhe sot, një lojtar i lirë dhe gati për t’u ringritur, ai flet në një intervistë për televizionet daneze.
“Ishte e pabesueshme që njerëzit ndjenë nevojën të më shkruanin dhe të më dërgonin lule. Ajo që më ndodhi preku shumë njerëz, kjo më bën vërtet të lumtur. Kur u shtrova në spital, më thanë se vazhdoja të merrja lule dhe m’u duk e çuditshme që dikush donte ta bënte këtë sepse unë vdiqa për pesë minuta. Ishte e jashtëzakonshme dhe një ndihmë e madhe për mua që mora të gjitha ato urime për një shërim të shpejtë. Akoma më shkruajnë. Doja t’i falënderoja të gjithë: mjekët, shoqëruesit e mi dhe familjarët e tyre… Por më duhet të falënderoj gjithashtu të gjithë tifozët. Më janë afruar në rrugë, si në Danimarkë ashtu edhe në Itali. Mbështetja që kam marrë nga e gjithë bota më ka ndihmuar për ta kaloj këtë moment”, deklaroi Eriksen në një pjesë të intervistës së publikuar.
Ish lojtari i Interit pas gjithë dramës që përjetoi ka një objektiv të ri. Të luajë sërish futboll në nivele të larta dhe nuk flet për momentin për atë me klube por me kombëtaren daneze.
“Qëllimi im është të luaj në Botërorin e Katarit, ky ka qenë objektivi im që në fillim. Është një ëndërr. Fizikisht jam në formë të mirë, tani dua të luaj futboll dhe të tregoj se jam kthyer në të njëjtin nivel si më parë. Dua të kthehem në kombëtare, në “Parken”, para tifozëve të mi. Zemra ime nuk është pengesë”, u shpreh mesfushori në intervistën e dhënë./Ora News/.
