Superliga e Europës nuk ka “vdekur”. Juve, Barça e Real kanë një plan të ri
Ashtu siç erdhi si një rrufe dhe u mbyll shpejtë si e tillë, Superliga e Europës duket se nuk ka vdekur as për vitin 2022 madje do të ketë surpriza të mëdha.
Eshtë prestigjozja, “Financial Times” që shkruan se Juventus, Barcelona dhe Real Madrid që u tërhoqën pasi UEFA i kërcënoi me masa të ashpra, kanë në plan t’i japin jetë këtij projekti që sipas tyre do të realizohet në një mënyrë ose tjetër.
Ideja është të rimendohet kompeticioni nga një këndvështrim ligjor dhe organizativ. E para për të shmangur veprimet ligjore të organeve që mbikëqyrin futbollin, UEFA e FIFA dhe e dyta për ta bërë turneun më tërheqës për tifozët.
Për këtë arsye, tre klubet “rebele” iu drejtuan edhe kompanisë së marrëdhënieve me publikun Flint për ndihmë për të “pastruar” imazhin e tyre pas dështimit të projektit të parë dhe për të krijuar një produkt të tregtueshëm që nuk do të vuajë kritikat ndaj të cilave u janë nënshtruar planet në momentin e nisjes së tyre.
Kjo kompani, Flint përpiloi një dokument prezantimi me titull: “Të hapim rrugën për Superligën; strategjitë për rindërtim, rifillim dhe triumf”. Firma PR tani është gati të angazhohet në një fushatë të madhe që do të nënvizojë pozicionin monopol të UEFA-s, duke përshkruar planet për një Superligë si alternativa e vetme për të shpëtuar botën e futbollit.
Pra me fjalë të tjera, do të bëhet një fushatë e madhe ku do të “sulmohet” UEFA si një pronar i futbollit e nga ana tjetër me reclama dhe qartësi për projektin do të joshen tifozët dhe klubet që të pranojnë Superligën si formën e vetme të spektaklit dhe futbollit elitar në Europë./Ora News/.
