Efekti Xavi, Barcelona fiton me “fëmijët” e La Masias, mund 1-0 Mallorcan (Video)
Barcelona sonte ndoshta ka ndryshuar fatin e sezonit të saj. Mund të mos bëjë mrekulli por sot mori një fitore me karakter që vlen shumë më shumë se 3 pikë.
Në kulmin e krizës mes dëmtimeve e sidomos të përgjysmuar nga covidi, katalanasit morën një fitore minimale por me shumë domethënie në transfertën me Mallorcan.
Trajneri Xavi Hernandez kërkoi ditën para ndeshjes të shtyhej e të mos luhej por edhe pse në fushë me më shumë se gjysmën e lojtarëve nga akademia, për shkak të mungesave, Barça mori 3 pikë.
Ai që nderoi trajnerin dhe ekipin ishte pikërisht Luuk de Jong, i destinuar të largohet sepse nuk është në planet e trajnerit, e me këtë të fundit që e aktivizoi sonte sepse nuk kishte lojtar tjetër në dispozicion.
Në 44’ sulmuesi holandez zhbllokoi sfidën pas një asisti nga Mingueza teksa pjesa e dytë ishte shumë e ekuilibruar dhe në fund të ndeshjes, Ter Stegen shpëtoi disa herë katalanasit nga barazimi.
Një fitore me vlera, që tregon se Barcelona me Xavin po ecin në rrugën e duhur, të rikthimit aty ku duhet./Ora News/.
