"Diaspora s'ka të drejtë vote", Hallulli: Nuk ka vullnet politik nga të majtët e të djathtët për ta bërë të mundur

Përfaqësuesve tanë në Diasporë do duhet t'i jepet një zë qoftë për politikat e zhvillimit, për të drejtën e votës, pro po ashtu të jenë ata ambasadorët për promovimin e turizmit shqiptar.

Kreu i shoqatës italo-shqiptare në Abruzzo, Luan Hallulli i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se Diaspora është një komunitet shumë i zhvilluar dhe nuk flitet më për një komunitet që ka qenë problematik si para 30 vitesh. Sipas tij është një komunitet që integrohet në të gjitha strukturat italiane, greke dhe evropiane.

Hallulli: Problematika  e Diasporës shqiptare është që ne nuk kemi të drejtë vote në vendin tonë. Ka mbi 20 vite që ne kemi dërguar shumë të dhëna të komuniteteve në të gjithë botën për votimin e Diasporës e cila ndodhet në të gjithë globin.

Çfarë rëndësie ka vota e Diasporës?

Zoti Hallulli tha se nëse do kishte pasur vullnet nga politika shqiptare, vota e Diasporës do ishte bërë shumë kohë më parë.

Hallulli: Më duket se ka pak interes nga politika shqiptare, si të majtë e të djathtë të çdo partie. I mungon vullneti sepse Diaspora është si një e veçantë, janë rritur të gjithë në Evropë dhe besoj që nga Diaspora e kemi kuptuar se si funksionon modeli evropian, jo se nuk e kemi kuptuar se si funksionon politika shqiptare. E dimë si drita e diellit. Por është ngërç nga të dyja palët që nuk kanë dëshirë që votën e emigracionit ta bëjnë të mundur.

Më tej, Hallulli tha se Diaspora ka bërë shumë për promovimin e kulturës shqiptare në Evropë dhe në glob.