Dyshohet se Vinçens Piroli u qëllua nga mbrapa, në spital e çoi kushëriri dhe u largua në drejtim të paditur
Vinçens Piroli, 34 vjeç nga Sanxhaku i Kurbinit mbeti i plagosur me 3 plumba mbrëmjen e sotme në rrethana ende të paqarta. Ai u dërgua në spitalin e Lezhës nga një mjet tip Ford dhe burime për Ora News bëjnë me dije se e ka çuar kushëriri i tij i cili më pas është larguar në drejtim të paditur.
Piroli u nis menjëherë drejt spitalit të Traumës në Tiranë ku ju nënshtrua operacionit për heqjen e plumbave.
Ora News shkoi në spitalin e Traumës dhe gazetari Edison Vatnikaj bën me dije se ende nuk dihet gjendja shëndetësore e të plagosurit.
34-vjeçari ka dhënë deklarime kontradiktore në spitalin e Lezhës dhe ende nuk dihet se ku është plagosur.
Policia po vijon punën për mbledhjen e provave për të bërë të mundur lokalizimin e vendit ku ka ndodhur plagosja.
Policia dyshon se Piroli mund të jetë qëlluar nga mbrapa, pra dyshohet edhe për një atentat të mundshëm.
Vinçens Pirosi bashkë me Dorian Lalën dyshohet se kanë ekzekutuar për hakmarrje një shtetas nga Mali i Zi të identifikuar si, Momçillo Gjurishiç. Të dy shtetasit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia e Malit të Zi.
