Në Dibër viktima e parë e 2022 nga aksidentet: Makina del nga rruga, vdes 28 vjeçari, plagosen 3 kushërinjtë

Lajmi u perditesua

Një i ri humbi jetën dhe tre kushërinjtë e tij mbetën të plagosur në një aksident rrugore në Dibër. Katër kushërinjtë udhëtonin në aksin Peshkopi-Maqellarë, kur mjeti doli nga rruga dhe përfundoi në një arë.

Diber- Edison Hamzaj, 28 vjeç është viktima e parë e aksidenteve rrugore në ditën e tretë të vitit 2022.

Ai  po udhëtonte me makinë bashkë me tre kushërinj në rrugën Peshkopi-Maqellarë.

Rreth orës 11.30, të 3 janarit 2022, në aksin rrugor Peshkopi-Maqellarë, makina doli nga rruga, e u përplas me mbrojtësen anësore, dhe më pas përfundoi në një arë.

Goditja ka qenë e fortë dhe makina duket e shkatërruar.

Për pasojë Edison Hamzaj, rreth 31 vjeç, ndërroi jetë në vendngjarje.

Tre kushërijtë Denis, Alert e Premtim Hamzaj, 21 deri në 27 vjeç, mbeten të plagosur dhe ndodhen nën trajtim mjekësor.

Nga të dhënat e para dyshohet se shoferi, Premtim Hamzaj humbi kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën udhëtonte, por shkaqet janë ende në verifikim nga ekspertët e policisë.

Në mbrëmje policia njoftoi se ishte arrestuar 27 vjeçarin Premtim Hamzaj si drejtuesi i makinës së përfshirë në aksident.

Aksidente te tjera

Më herët, dy aksidente u shënuan në aksin nacional Bulqizë-Peshkopi ku dy makina dolën nga rruga si pasojë e ngricave në rrugë.

Në një rast mjeti përfundoi i përmbysur, por fatmirësisht anëtarët e një familje që udhëtonin aty morën vetem lëndime të lehta.

Ky segment rrugor është vazhdimisht problem në stinën e dimrit për shkak të pranisë së akullit, dhe mos hedhjes së kripës nga kompania që e mirëmban.

Në orët e mëngjesin e të hënës (3 janar) në Durrës, përplasja e dy makinave shkaktoi dy të plagosur.

Të dielën, të paktën 9 persona, mes të cilëve edhe një vajzë 5-vjeçare u plagosën si pasojë e 6 aksidenteve në harkun e pak orëve në rrugët e vendit.